
Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikon 3 milionë faqe nga dosja e Jeffrey Epstein
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar sot një sasi e madhe dokumentesh të reja mbi Jeffrey Epstein-in.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Todd Blanche njoftoi në konferencën për shtyp se po janë publikuar më shumë se 3 milionë faqe dokumentesh shtesë, plus mbi 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe.
Kjo është pjesa më e madhe e publikimit deri tani, duke e çuar totalin e lëshuar (me ato të mëparshmet) në afërsisht 3.5 milionë faqe.
Ky veprim plotëson kërkesën e Aktit të Transparencës së Dosjeve Epstein (Epstein Files Transparency Act), ligj i miratuar nga Kongresi me mbështetje bipartizane dhe i nënshkruar nga Presidenti Trump më 19 nëntor 2025 (H.R.4405, tani Public Law 119-38).
Blanche tha se departamenti ka përfunduar shqyrtimin e plotë të materialeve për të siguruar transparencë, por ka mbajtur mënjanë çdo gjë që mund të rrezikojë hetime të hapura ose të zbulojë identitetet e viktimave.
Për të mbrojtur viktimat, të gjitha gratë në video dhe imazhe (përveç Ghislaine Maxwell-it) janë errësuar.
Blanche hodhi poshtë pretendimet se po mbrohet ndonjë person i fuqishëm, përfshirë edhe Trump-in.
“Nuk ka asnjë listë të fshehur, nuk kemi mbuluar asgjë për të mbrojtur individë të caktuar. Shtëpia e Bardhë nuk kishte asnjë rol në procesin e shqyrtimit”, tha ai.
Figura si Bill Gates, Bill Clinton, Steve Bannon, Woody Allen etj. shfaqen në disa imazhe me Epstein-in (p.sh. në ishullin e tij), por askush prej tyre nuk është akuzuar për krime në këto dosje.
Totali i dokumenteve të identifikuara si potencialisht relevante ishte rreth 6 milionë faqe, por jo të gjitha publikohen për shkak të materialit të abuzimit seksual ndaj fëmijëve dhe të drejtave të viktimave. /rtsh/


