
Declan Rice kapiten i ardhshëm i Anglisë, thotë Rooney
Legjenda e Manchester United dhe ish-kapiteni i Anglisë, Wayne Rooney, është i bindur se mesfushori i Arsenalit, Declan Rice, do të jetë shumë shpejt kapiteni i ri i “Tre Luanëve”.
Rooney, i cili ka mbajtur vetë shiritin e kapitenit të Anglisë, ka pranuar se është një admirues i madh i ish-kapitenit të West Hamit, duke e parë atë si pasardhësin natyral të Harry Kane.
“Për mua, ai është lojtari që po pret momentin kur Harry të varë këpucët në gozhdë,” ka thënë Rooney në episodin e fundit të BBC Sport – The Wayne Rooney Show.
Duke u ndalur te paraqitja e Rice kundër Evertonit, Rooney theksoi ndikimin e tij total në fushë.
“Ai ishte kudo në fushë. Vendimmarrja e tij – kur të pasojë, ku të pasojë, me cilën këmbë – detajet në pasime ishin një kënaqësi për t’u parë. Ishte absolutisht i jashtëzakonshëm”, theksoi Rooney.
Ai shtoi se roli i Rice shpesh vlerësohet më pak sesa duhet.
“Ai çante mes mbrojtësve qendrorë, merrte topin nga mbrojtësit e Arsenalit, vepronte si një mbrojtës i tretë dhe në minutën tjetër ishte në zonë duke tentuar të shënonte. Disa nga gjërat që bën janë të nënvlerësuara”, pohoi Rooney.
Sipas Rooney, personaliteti dhe udhëheqja e Rice e bëjnë atë zgjedhjen ideale për shiritin e kapitenit.
“Ai është i duhuri për ta zëvendësuar Kane për mua, për shkak të ambicies, karakterit dhe personalitetit. Të gjithë ata që e njohin duket se e duan. Për Anglinë, ai është i pazëvendësueshëm”, përfundoi Rooney.
Deklaratat e Rooney-t pritet të nxisin edhe më shumë diskutime mbi të ardhmen e shiritit të kapitenit të kombëtares angleze, me Declan Rice që shihet gjithnjë e më shumë si lideri i brezit të ri.


