
Dëborë në Korçë, dimri zbukuron qytetin me “dhuratën” e fundit
Korça këtë mëngjes prilli u gdhi e bardhë. Dëbora e rënë gjatë natës ka krijuar pamje mbresëlënëse, duke ia shtuar bukurinë këtij qyteti.
Ulja e temperaturave në vend, riktheu reshjet e dëborës në zonën juglindore të vendit, kryesisht zonave të thella malore, por pati reshje të konsiderueshme edhe brenda qytetit të serenatave.
Korça ngjan si qytet i dalë nga ndonjë përrallë, me pemët e bardha jo nga lulet e pranverës por nga kristalet e dëborës.
Rrugët, sheshet, statujat gjithçka u mbulua nga dëbora brenda pak orëve, ndërsa qytetarët me gjithë vështirësitë e krijuara nga e papritura në qarkullim, mirëpritën “dhuratën” e fundit të dimrit.
Reshjet e dëborës me intensitet deri mesatar në të gjithë territorin të shoqëruara dhe me erë kanë bërë që trashësia e dëborës varion nga 10 deri 25 cm në zonat malore. /atsh/