Çitaku: Si shtet të reagojmë shpejt, seriozisht e institucionalisht

Çitaku: Si shtet të reagojmë shpejt, seriozisht e institucionalisht

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se shteti dhe institucionet e Kosovës duhet të reagojnë shpejt pas vendimit të Gjykatës Speciale me të cilin i dënoi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çitaku ka thënë se nuk e kemi luksin të rrimë e të presim sepse është në pyetje historia e vendit.

“Një vendim që, në bindjen time, duket sikur ishte shkruar para se gjykimi të përfundonte. Një vendim që e ka shpërfillur pothuajse në tërësi punën e mbrojtjes. Ka shpërfillur dëshmitë e Wesley Clark, James Rubin dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes. Një verdikt drakonik, që shkoi edhe përtej asaj që kishte pritur Prokuroria. Prandaj tani nuk kemi luksin të rrimë e të presim që koha t’i rregullojë gjërat vetë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Siç theksoi ajo ‘është detyra jonë, si shtet dhe si institucione, të reagojmë shpejt, seriozisht dhe institucionalisht’.

Sipas saj, historia nuk mbrohet vetëm duke thënë se nuk mund të ndryshohet. Historia mbrohet duke vepruar kur dikush përpiqet ta rishkruajë.

Share This