Çitaku: Kurti po synon të suspendojë çdo rregull, PDK do të përdorë çdo mjet për mbrojtjen e Kushtetutës

Çitaku: Kurti po synon të suspendojë çdo rregull, PDK do të përdorë çdo mjet për mbrojtjen e Kushtetutës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po synon të “suspendojë çdo rregull”, përfshirë normat kushtetuese, politike, morale dhe njerëzore.

Përmes një reagimi, Çitaku ka thënë se Kurti po vepron “si një monark”, duke pretenduar se po e shpall Kuvendin të konstituuar, po zgjedh Qeverinë dhe po merr vendime pa, sipas saj, përgjegjësi politike e kombëtare.

“Republika nuk funksionon sipas vullnetit të një njeriu. Kuvendi nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është meny prej së cilës zgjedh çka të pëlqen e çka jo”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka paralajmëruar se kjo qasje nuk do të kalojë dhe se PDK-ja do të përdorë, siç tha, “çdo mjet politik dhe juridik” për rikthimin e demokracisë, ligjshmërisë dhe rendit kushtetues.
“PDK as nuk joshet, as nuk shantazhohet, e as nuk nënshtrohet”, ka deklaruar Çitaku.

Në reagimin e saj, deputetja e PDK-së ka theksuar se “askush nuk është mbi Kushtetutën, askush nuk është mbi Kuvendin dhe askush nuk është mbi Republikën”.
Çitaku është shprehur edhe për pretendimet lidhur me Listën Serbe, duke thënë se për këtë çështje “folën ata vetë, me votë, në Kuvend”.

“E për përrallat pseudopatriotike me Listën Serbe, as që ia vlen me folë. Folën ata vetë. Me votë. Në Kuvend”, ka shkruar ajo.

Share This