
Chelsea fiton derbin ndaj Tottenhamit, futët në ‘katërshen e madhe’
Chelsea ka vazhduar formën e mirë duke mposhtur Tottenham Hotspur me rezultat minimal 1-0 në derbin e Londrës, fitore kjo që i barazon me pikë në tabelë me rivalët e tyre kryeqytetas.
Derbi londinez, që shpeshherë ka prodhuar spektakël, këtë herë nisi me ritëm të ulët. Ndeshja u ndërpre herët për shkak të një lëndimi të Lucas Bergvall, ndërsa pjesa e parë dominohej kryesisht nga Chelsea, që kontrollonte lojën në mesfushë.
Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 20-të, kur Alejandro Garnacho provoi me një goditje të devijuar që përfundoi në duart e portierit Guglielmo Vicario. Pak minuta më vonë, João Pedro kërcënoi sërish, por u ndal nga portieri italian.
Dominimi i “Bluve” u shpërblye në minutën e 34-të, kur Moises Caicedo fitoi disa duele fizike në mesfushë dhe depërtoi drejt zonës kundërshtare, duke i dhuruar topin Pedro Neto-s, i cili shënoi lehtësisht për epërsinë 1-0.
Në vazhdim, Chelsea kishte disa mundësi për ta dyfishuar rezultatin me Enzo Fernández dhe Reece James, por të dy gabuan përpara portës. Edhe portieri Vicario u tregua vendimtar, duke ndalur dy herë tentimet e fuqishme të Pedro Neto-s.
Tottenhami u përpoq të reagojë në pjesën e dytë, por nuk arriti të krijojë rrezik serioz ndaj portës së Robert Sánchez. Një performancë e zbehtë e “Spurs”, që tashmë kanë katër ndeshje pa fitore në shtëpi, shton presionin mbi skuadrën e Thomas Frank.
Në anën tjetër, Chelsea e vazhdon traditën pozitive në këtë stadium, duke regjistruar fitoren e gjashtë në shtatë vizitat e fundit dhe përkohësisht ngjitet në top katër të Premier Ligës. /Rekordi.net

