
Cakolli: Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit me votim të hapur
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot nga Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se deputetët e Kuvendit duhet ta zgjedhin kreun e ri të këtij institucioni përmes votimit të hapur.
“Siç kemi thënë, Gjykata konstatoi që është shkelur aktgjykimi nga kryesuesi Dehari. Seanca konstituive duhet të vazhdojë me votim të hapur. Ndërsa, subjekti më i madh mund të propozojë të njëjtin kandidat vetëm deri në tri herë. Deputetët kanë kohë edhe 30 ditë të tjera për ta konstituar Kuvendin”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Aktgjykimi i sotëm i Kushtetueses lidhet me procedurat e mbajtjes së seancës konstituive dhe zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, proces që kishte mbetur i papërfunduar pas mosmarrëveshjeve mes partive politike.


