Britania i jep SHBA-ve përdorimin e bazave të saj për sulmet në Iran

Britania i jep SHBA-ve përdorimin e bazave të saj për sulmet në Iran

Kryeministri i ri britanik Andy Burnham ka miratuar përdorimin e bazave ushtarake britanike nga Shtetet e Bashkuara për atë që Mbretëria e Bashkuar i quan sulme mbrojtëse kundër Iranit.

Sipas një raportimi të Bloomberg, kryeministri, Andy Burnham, ka rënë dakord të ruajë politikën e mëparshme që lejon Shtetet e Bashkuara të përdorin bazat ushtarake britanike për të kryer atë që Londra i klasifikon si “sulme mbrojtëse” kundër Iranit.

Vendimi u konfirmua pas një takimi të komitetit të emergjencës së qeverisë, COBRA, më 17 korrik, të kryesuar nga ish-kryeministri Keir Starmer.

Në këtë takim u vendos që avionët amerikanë të vazhdojnë të përdorin bazën Diego Garcia në Oqeanin Indian dhe bazën e Forcave Ajrore Mbretërore RAF Fairford në Angli për operacione që synojnë kundërshtimin e kërcënimeve me raketa iraniane dhe mbrojtjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Burnham, i cili mori detyrën si Kryeministër më 20 korrik, u informua për vendimin dhe ra dakord ta vazhdojë politikën e trashëguar. Qeveria britanike ka theksuar se nuk do të lejojë përdorimin e territorit të saj për sulme ndaj infrastrukturës civile iraniane ose objekteve energjetike, duke e kufizuar mbështetjen vetëm në misione mbrojtëse.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet ushtarake midis SHBA-së dhe Iranit po përshkallëzohen. Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi telefonatën e parë me Burnham pas marrjes së detyrës, duke e përshkruar bisedën si “shumë të mirë” dhe duke theksuar forcën e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Londrës. /rtsh/

Share This