Britania e Madhe zgjat praninë në KFOR deri në vitin 2028, NATO: Forcon stabilitetin në Kosovë dhe rajon

Britania e Madhe zgjat praninë në KFOR deri në vitin 2028, NATO: Forcon stabilitetin në Kosovë dhe rajon

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka reaguar pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të zgjatur angazhimin e saj ushtarak në Kosovë të paktën deri në dhjetor 2028, duke e cilësuar këtë si një hap që forcon paqen dhe sigurinë në rajon.

Në komunikatën zyrtare të publikuar nga KFOR, thuhet se shtrimi i trupave britanike dhe mbështetja e vazhdueshme e Londrës për misionin e NATO-s janë një dëshmi e përkushtimit të saj për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

“Ky angazhim i vazhdueshëm forcon përpjekjet e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të promovuar stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” thuhet në njoftim.

Më tej, KFOR thekson se së bashku me 33 vendet kontribuuese, mbetet i palëkundur në misionin e tij për paqe, siguri dhe stabilitet, duke nxitur bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet partnerëve rajonalë e ndërkombëtarë.

Ky vendim i Mbretërisë së Bashkuar vjen në një kohë kur NATO po thellon rolin e saj në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, pas tensioneve të kohëve të fundit në veri të vendit.

KFOR, që operon në Kosovë që nga viti 1999, vazhdon të jetë misioni më i madh i NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Share This