
Bosnja dhe Hercegovina mposht Katarin, shumë pranë kualifikimit në fazën nokaut të Botërorit
Bosnja dhe Hercegovina ka hedhur një hap të madh drejt fazës eliminatore të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Katarin me rezultat 3:1 në ndeshjen e fundit të Grupit B, duke e mbyllur fazën grupore me katër pikë dhe në vendin e tretë.
Ylli i ndeshjes ishte 18-vjeçari Kerim Alajbegovic, i cili realizoi një gol spektakolar në minutën e 28-të. Talenti boshnjak kaloi tre mbrojtës kundërshtarë në hyrje të zonës dhe më pas dërgoi topin në rrjetë me një goditje të pandalshme.
Vetëm pesë minuta më vonë, Bosnja dyfishoi epërsinë. Pas një goditjeje të Edin Ddekos, mbrojtësi i Katarit, Sultan Al-Brake, devijoi topin në portën e tij për rezultatin 2:0.
Boshnjakët ishin pranë golit të tretë para pushimit, por tentativa e Dzekos u ndal nga shtylla. Megjithatë, Katari arriti të rikthehej në lojë me rastin e parë serioz, kur Hasan Al-Haydos shënoi nga afërsia pas asistimit të Edmilson Junior, duke ngushtuar rezultatin në 2:1.
Në pjesën e dytë, Katari kërkoi me ngulm barazimin, ndërsa Akram Afif iu afrua golit me një goditje që përfundoi në rrjetën e jashtme.
Megjithatë, çdo dilemë rreth fituesit u mbyll dhjetë minuta para fundit. Pas një tollovie në zonën e Katarit, topi përfundoi te Ermin Mahmic, i cili realizoi për 3:1 dhe vulosi fitoren e Bosnjës. Mesfushori 21-vjeçar shënoi për ndeshjen e dytë radhazi pasi u aktivizua nga banka rezervë.
Me këtë triumf, Bosnja dhe Hercegovina e përfundon Grupin B në pozitën e tretë dhe është shumë pranë sigurimit të një vendi në mesin e skuadrave që avancojnë në fazën e 1/16 së finales, ndërsa Katari i jep fund aventurës së tij në Botërorin 2026.

