Bie mbështetja në vendet e BE-së për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës

Bie mbështetja në vendet e BE-së për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës

Mbështetja për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian në vitet e ardhshme ka rënë në të gjithë bllokun, ndonëse shumica e ukrainasve vijojnë të mbështesin anëtarësimin e shpejtë të vendit të tyre, sipas një sondazhi të fondacionit “Bertelsmann”.

Sipas sondazhit, 83% e ukrainasve dëshirojnë që vendi i tyre t’i bashkohet BE-së në vitet e ardhshme, ndërsa vetëm 47% e qytetarëve të Bashkimit Evropian mbështesin anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës.

Ndërkohë, 53% e qytetarëve të BE-së janë kundër anëtarësimit të shpejtë.

Gjermania, e cila i ofron Ukrainës më shumë mbështetje ushtarake dhe financiare se çdo vend tjetër evropian, renditet ndër vendet më skeptike mes 10 shteteve më të mëdha anëtare të BE-së.

Vetëm 41% e gjermanëve mbështesin anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës, ndërsa Rumania regjistron një përqindje edhe më të ulët, prej 40%.

Suedia shënon nivelin më të lartë të mbështetjes mes vendeve të mëdha të BE-së, me 69%.

Në fillim të pushtimit rus në shkallë të plotë, në vitin 2022, 60% e gjermanëve mbështesnin anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE.

Fondacioni e ka përsëritur rregullisht sondazhin dhe, që prej asaj kohe, mbështetja ka rënë si në vende të veçanta, ashtu edhe në të gjithë Bashkimin Evropian.

Anëtarësimi i Ukrainës mbetet një objektiv zyrtar i BE-së dhe konsiderohet një nga shtyllat kryesore të rendit të ardhshëm të sigurisë evropiane.

Sipas fondacionit, kapërcimi i hendekut mes këtij objektivi dhe opinionit publik do të kërkojë një dialog më të thelluar mes drejtuesve politikë dhe qytetarëve.

Fondacioni thekson gjithashtu se rëndësia strategjike e integrimit të Ukrainës duhet të shpjegohet në mënyrë më bindëse.

Sondazhi përfshiu 16 795 persona nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe u zhvillua në qershor, nëpërmjet platformës së kërkimit të opinionit publik “Eupenios”. /atsh/

Share This