
Berat Rukiqi: Kurti nuk e do as publiken, as privaten – vetëm paranë e mafisë energjetike
Berat Rukiqi, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke thënë se ai “nuk e do as publiken, as privaten”.
Rukiqi përmes një shkrimi në Facebook, ka kujtuar një takim të vitit 2020, kur Kurti sapo ishte zgjedhur kryeministër.
“Pasi e urova dhe i prezantova një platformë prej 12 pikash për rritjen ekonomike, më tha me shumë vetëbesim: Unë e dua publiken, nuk e dua privaten. Sot është e qartë: ai nuk e do as publiken, as privaten,” ka shkruar Rukiqi.
Sipas tij, Kurti ka shkatërruar diplomacinë dhe administratën publike, ndërsa po tenton të rrënojë edhe rendin juridik e kushtetues.
Në aspektin ekonomik, Rukiqi e akuzon për ndaljen e projekteve madhore energjetike e strategjike, rritjen e deficitit mbi 5 miliardë euro, rritjen e çmimeve dhe linçimin e bizneseve.
“Një gjë e ka dëshmuar se e do shumë, jashtë publikes e privates: paranë e mafisë energjetike,” përfundoi Rukiqi.

