
Beqë Cufaj: Caktimi i zgjedhjeve më 28 dhjetor, “autogol” për Albin Kurtin
Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka vlerësuar se caktimi i datës 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare përbën një “autogol” politik për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij, kjo datë – e menduar nga Vetëvendosje për të shfrytëzuar votën e diasporës – mund të sjellë rezultat të kundërt.
Cufaj thotë se gjatë fundvitit në Kosovë do të jenë shumë më tepër mërgimtarë sesa llogaritjet që, sipas tij, ka bërë Kurti. Ai thekson se një pjesë e madhe e tyre tradicionalisht mbështesin LDK-në, PDK-në dhe AAK-në, duke përmendur faktin se vetëm në Gjermani, Zvicër dhe Austri jetojnë rreth 1 milion kosovarë.
“Në këto vende jetojnë shumë më tepër sesa 35 mijë votat që Kurti i ka llogaritur si të garantuara nga diaspora,” ka shkruar Cufaj në reagimin e tij.
Sipas tij, zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë testi që do të tregojë nëse strategjia e Vetëvendosjes për të shfrytëzuar kalendarin zgjedhor do të funksionojë, apo – siç e quan ai – do të rezultojë në një “autogol historik”.
Në komentimin e tij, Cufaj kritikon mënyrën se si qeveria ka kalkuluar ndikimin e diasporës, duke theksuar se “populli nuk është rresht në Excel, por në kuti të votimit”.
Sipas tij, fundviti mund ta ndryshojë dinamiken e pjesëmarrjes së mërgatës dhe, për pasojë, edhe balancat politike në vend.

