Behrami: Dëshmitë e Clark, Walker e të tjerëve do të jenë pikëpërmbysje në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së

Behrami: Dëshmitë e Clark, Walker e të tjerëve do të jenë pikëpërmbysje në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë, 19 gusht 2025-Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Gjykatën Speciale, ku së shpejti pritet të fillojë paraqitja e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Në listën e tyre figurojnë emra të njohur ndërkombëtarë si Madeleine Albright, Richard Holbrooke, Bob Dole, gjenerali Wesley Clark dhe ambasadori William Walker.

Behrami, përmes një reagimi në “Facebook”, ka thënë se dëshmitë e këtyre personaliteteve do të përbëjnë një pikëpërmbysje në gjyqin politik kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në ditën kur mbrojtja e krerëve të UÇK-së paralajmëroi të prezantohen dëshmitë e Albright, Holbrooke, Dole, Clark, Walker etj., Gjykata Speciale del me lista për të krijuar spektakël. Por, krejt vëmendja duhet të jetë te dëshmitarët e mbrojtjes,” ka shkruar Behrami.

Ai ka theksuar se dëshmitë e tyre do të ballafaqohen drejtpërdrejt me ato të ofruara nga pala serbe dhe dëshmitarë të tjerë të mbështetur nga prokuroria:

“Dëshmitë e ish-sekretares Albright do të ballafaqohen me dëshmitë e MUP-it dhe UDB-së serbe.”

“Dëshmitë e gjeneralit Clark do të ballafaqohen me dëshmitë e gjeneralëve të Millosheviçit.”

“Dëshmitë e ambasadorit William Walker do të ballafaqohen me dëshmitë e Nazim Bllacës.”

“Dëshmitë e ambasadorit Holbrooke do të ballafaqohen me dëshmitë e atij dëshmitarit që UÇK-ja i ka bërë ‘magji’.”

Sipas Behramit, fillimi i dëshmive të mbrojtjes shënon një kthesë të madhe dhe një moment vendimtar për procesin gjyqësor në Hagë.

Share This