
Begaj dekreton Edi Ramën si Kryeministër, e mandaton për formimin e qeverisë dhe Ministrinë AI të “Diellës”
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar Edi Ramën si Kryeministër, duke e mandatuar për formimin e qeverisë së re.
Rama mbërriti në Presidencë mesditën e sotme (12 shtator). Në dekretin e tij, presidenti Begaj i dha kryeqeveritarit edhe përgjegjësinë për ngritjen e Ministrisë së parë virtuale të Shtetit të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (AI) “Diella”.
“Diella” është risi në politikë dhe do të merret me prokurimet publike, për ta bërë procesin e tenderimit “të pakorruptueshëm”, tha një ditë më parë kryeministri Rama gjatë prezantimit të kabinetit të ri.

Me mandatimin e Kryeministrit, Presidenti do të nxjerrë dekretet individuale për secilin nga ministrat. Më pas, pas seancës së votëbesimit në Parlament, në ditët e ardhshme do të zhvillohet ceremonia e betimit të qeverisë.
Qeveria u bë publike një ditë më parë gjatë Asamblesë së PS-së. Përbërja e saj ka pësuar ndryshime të rëndësishme, me disa rikonfirmime, largime nga postet ministrore, si dhe emra të rinj. Për herë të parë në historinë e vendit, Ministria e Brendshme do të drejtohet nga në grua, Albana Koçiu. Ndërkohë, Turizmi dhe Sporti do të bashkohen në një ministri me Kulturën, ndërsa Mjedisi është ndarë si ministri më vete.
Përbërja e qeverisë së re “Rama 4”
- Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë – Rikonfirmohet Belinda Balluku
- Ministre e Shtetit me Inteligjencë Artificiale, “Diella” për prokurimet publike
- Ministria e Brendshme – Albana Koçiu
- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Elisa Spiropali
- Ministria e Financave – Rikonfimohet Petrit Malaj
- Ministria e Mjedisit – Sofjan Jaupaj
- Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit – Blendi Gonxhja
- Ministria e Arsimit – Mirela Kumbaro
- Ministria e Shëndetësisë – Evis Sala
- Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj
- Ministria e Drejtësisë – Besfort Lamallari
- Ministria e Mbrojtjes – Rikonfirmohet Pirro Vengu
- Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla
- Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo
- Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore me BE – Rikonfirmohet Majlinda Dhuka
- Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Rikonfirmohet Adea Pirdeni
- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu /rtsh/


