Bedri Hamza: Largimi i qytetarëve nga Kosova është alarm kombëtar

Bedri Hamza: Largimi i qytetarëve nga Kosova është alarm kombëtar

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka ngritur shqetësimin për rritjen e emigrimit të qytetarëve nga Kosova, duke e cilësuar këtë fenomen si një ndër sfidat më serioze sociale dhe ekonomike me të cilat po përballet vendi.

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, gjatë një vizite te Zyber Paçarizi në Malishevë – ish-mësimdhënës dhe prind i tre djemve që jetojnë jashtë Kosovës – Hamza tha se mungesa e perspektivës, vështirësitë ekonomike dhe dobësimi institucional po i shtyjnë qytetarët të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Largimi i qytetarëve tanë nga Kosova është një alarm për shtetin dhe shoqërinë tonë. Familje të tëra po ndahen, ndërsa të rinjtë po humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se ikja masive nuk duhet të trajtohet si një realitet i zakonshëm, por si një krizë që kërkon veprime konkrete dhe politika të reja zhvillimore.

“Kjo gjendje duhet të ndalet. Ne kemi nevojë për zhvillim ekonomik, vende të reja pune, paga dinjitoze dhe institucione që krijojnë siguri e besim për qytetarët”, u shpreh kandidati i PDK-së për kryeministër.

Sipas Hamzës, prioritet duhet të jetë krijimi i kushteve që qytetarët të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre dhe të mos ndihen të detyruar të largohen.

“Kosova duhet të jetë vend i mundësive dhe shpresës, jo vend nga i cili njerëzit largohen për të siguruar një të ardhme më të mirë”, përfundoi ai.

Share This