
Bedri Hamza: Institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se procesi zgjedhor po shkon drejt fundit dhe ditëve të ardhshme presim të certifikohen edhe rezultatet zgjedhore.
Ai deputetëve të zgjedhur të të gjitha subjekteve politike iu ka dëshiruar suksese në punën e tyre.
“Nga mandatet e fituara buron edhe detyra e shenjtë për t’iu shërbyer me ndershmëri dhe përgjegjësi atyre që besuan te secili i zgjedhur. Faleminderit mbi 196 mijë qytetarëve që besuan te Partia Demokratike e Kosovës. Faleminderit për mbështetjen që na e keni dhënë për ta bërë Kosovën më të mirë!”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ai ka thënë se institucionet e reja duhet të krijohen pa vonesa dhe, sipas tij, “është përgjegjësi e jona t’i respektojmë afatet ligjore dhe të jemi transparentë”.
“Së bashku duhet t’i mbrojmë vlerat që na bashkojnë, interesin publik dhe vendin tonë!”, ka shkruar Hamza.