Basha takohet me Presidenten Osmani, diskutojnë për hapat drejt formimit të Qeverisë së re

Basha takohet me Presidenten Osmani, diskutojnë për hapat drejt formimit të Qeverisë së re

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar sot një takim konsultativ dhe njoftues me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Basha e informoi Presidenten mbi ecurinë e seancës konstituive dhe procesin e formimit të Kuvendit, ndërsa bashkë diskutuan për hapat e mëtejshëm institucionalë në funksion të krijimit të Qeverisë së re.

“Palët theksuan nevojën që proceset kushtetuese dhe ligjore të vijojnë me dinamikën e paraparë kohore, në mënyrë që të sigurohet një tranzicion i shpejtë dhe efikas”, thuhet në komunikatë.

Në takim u vu theksi mbi rëndësinë e funksionalitetit të institucioneve dhe ruajtjen e stabilitetit politik, sidomos në raport me sfidat e brendshme dhe zhvillimet ndërkombëtare. Po ashtu, u ritheksua pritja e qytetarëve për efikasitet dhe përgjegjësi në qeverisje.

“Kryetari Basha konfirmoi përkushtimin që Kuvendi do të ushtrojë plotësisht rolin e tij kushtetues dhe do të funksionojë me përgjegjësi të lartë, ndërsa Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Share This