Barça në ankth për lëndimin e Gavinit, mund të operohet përsëri

Barça në ankth për lëndimin e Gavinit, mund të operohet përsëri

Barcelona po përjeton shqetësime të mëdha për gjendjen shëndetësore të mesfushorit të saj, Gavi.

Që prej rikthimit nga këputja e ligamentit të kryqëzuar një vit më parë, 21-vjeçari ka synuar të rifitojë formën e tij më të mirë, por tani sërish është jashtë fushave për shkak të një problemi të ri në gju.

Edhe pse Barcelona ende nuk ka publikuar asnjë deklaratë zyrtare, trajneri i Spanjës, Luis De La Fuente, në një intervistë për “Cadena Ser” ka konfirmuar se situata nuk është aspak e lehtë.

“Fola me Gavin. Ai është i trishtuar dhe pret një operacion të mundshëm në meniskus”, tha De La Fuente.

“Gavi po ndjek të gjitha udhëzimet mjekësore për të shmangur ndërhyrjen, por ekziston mundësia që ai të ketë nevojë për një operacion në meniskun medial të gjurit të djathtë. Ai ka mbështetjen tonë të plotë”, ka theksuar strategu spanjoll.

Kjo është një tjetër goditje e rëndë për karrierën e mesfushorit të ri, i cili konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit spanjoll dhe një element kyç për Barcelonën dhe Kombëtaren e Spanjës.

Share This