Bajrami: Një media e lirë mund të gabojë, por media e kontrolluar është vetë gabimi

Bajrami: Një media e lirë mund të gabojë, por media e kontrolluar është vetë gabimi

Hykmete Bajrami nga LDK-ja, ka reaguar pasi në Komisionin e Pavarur të Mediave nga nënkryetarja Drita Morina, u propozua që të shqyrtohet mbyllja e “Debat Plus”, që transmetohet në RTV Dukagjini.

Bajrami ka thënë se një media e lirë mund të gabojë, por një media e kontrolluar është gabim në veti.

Ajo tha se ka pasur raste kur është dëmtuar nga media, por përkundër kësaj ajo thotë se e mbron lirinë e medias.

Postimi i plotë:

Një media e lirë mund të gabojë. Një media e kontrolluar është gabimi vetë.

Dhjetëra herë në emision, veçanërisht gjatë fushatave elektorale, moderatori i “Debat Plus” ka përsëritur në mënyrë të njëanshme, denigruese dhe jashtë çdo konteksti pretendimin se “Hykmete Bajrami nuk e ka problem Listën Serbe”.

Kjo deklaratë, e shkëputur tërësisht nga konteksti, është përdorur vazhdimisht për të ndërtuar një rrëfim të pavërtetë dhe të dëmshme ndaj meje. Si pasojë, janë krijuar dhe shpërndarë një numër i madh montazhash të fotove e videove të manipuluara edhe përmes inteligjencës artificiale, të cilat kanë rezultu me kërcnime dhe pasiguri për mua dhe familjen time.

Megjithatë, pavarësisht këtij trajtimi të padrejtë, sot dal hapur kundër mbylljes së cilitdo emision dhe kundër çdo nisme të pushtetit për të kontrolluar, ndëshkuar apo heshtur mediat.

Liria e medias nuk mbrohet vetëm kur media sillet mirë me ne; ajo mbrohet sidomos kur kemi arsye personale për t’u ndier të dëmtuar prej saj.

Çdo presion institucional apo politik ndaj mediave është akt i rrezikshëm, në kundërshtim me frymën demokratike dhe standardet evropiane. Prandaj kërkoj ndaljen e menjëhershme të çdo forme presioni ndaj mediave dhe ruajtjen e plotë të pavarësisë së tyre.

Njëkohësisht, kërkoj nga mediat respektimin e standardeve më të larta etike, profesionale dhe ligjore.

 

 

Share This