
Bajrami: Kurti po hesht ndaj mafisë energjetike, sulmon Janina Ymerin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ajo, mospërmbushje të premtimeve të bëra në vitin 2019 për luftimin e “mafisë energjetike”.
Bajrami rikujtoi deklaratat e Kurtit para ardhjes në pushtet, kur ai shprehej se “nuk je lider shqiptar nëse nuk e lufton mafinë energjetike”, duke vlerësuar se pas pesë vitesh qeverisje kjo betejë nuk është zhvilluar.
“Sot, pas pesë vitesh qeverisje, ai nuk po e lufton mafinë energjetike. Përkundrazi, përmes veglave të tij, ka vendosur ta luftojë Janina Ymerin”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo theksoi se Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i zgjedhur gjatë qeverisjes së Kurtit, ka licencuar kompaninë EFT të biznesmenit Vuk Hamoviç, si dhe kompaninë NOA, që sipas saj përbën “superkompani” në sektorin energjetik.
“Këtu jemi. Pavarësisht rezultatit të 28 dhjetorit, nuk heshtim”, përfundoi Bajrami.
Deklarata e saj vjen në kuadër të debateve të vazhdueshme për menaxhimin e sektorit të energjisë dhe rolin e institucioneve rregullatore në Kosovë.


