
Bajrami kritikon miratimin e Ligjit për ndarjet buxhetore 2026, ja çfarë shkruan
Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas miratimit në Kuvendi i Kosovës të Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, duke e cilësuar atë si vazhdimësi të, siç tha ajo, shpërndarjes pa kriter të mjeteve publike.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami theksoi se Qeveria po ndjek të njëjtën logjikë të menaxhimit të buxhetit, që sipas saj rrit importin dhe thellon deficitin tregtar.
“Pra, shteti është kthyer në mekanizëm që mbledh para nga qytetarët përmes inflacionit çdo ditë të vitit dhe pastaj, kur t’u ju teket shpërndan nga një 100 Euro për të mbuluar dështimet e mëdha në arsim, shëndetësi dhe çdo fushë tjetër”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së shtoi se vota nuk duhet të jetë qëllim në vete për asnjë parti politike.
“Vota është mjet që një parti politike ta arrijë të realizojë programin e saj në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe forcimit të shtetit, por fatkeqësisht kjo për LVV nuk vlen”, theksoi Bajrami.
Ajo kritikoi gjithashtu faktin se, ndonëse LVV është në pushtet që nga viti 2021 dhe sipas saj e ka ditur rezultatin e zgjedhjeve që nga 28 dhjetori 2025, ligji i miratuar sot nuk pasqyron as strukturën aktuale të Qeverisë.
“Katër nga 19 ministra mbeten pa buxhet me ligjin që kaloi sot. Për më tepër, shpenzimi i parasë publike këto pesë vjet ka qenë i shoqëruar me korrupsion endemik, mbi 3500 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë dhe me skema korruptive publike, pa lënë asnjë gjurmë me projekte kapitale që kanë vlerë për brezat e ardhshëm. Mjafton të shohim rrugët rajonale, tash e gjashtë vjet janë punishte në pauzë”, deklaroi Bajrami.


