
Bajrami kritikon gjendjen në shëndetësi: Gjendja në shëndetësi ka emër, emri i saj është korrupsion
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për gjendjen në sistemin shëndetësor të Kosovës, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë të përgjegjësisë në administrimin e sektorit të shëndetësisë.
Përmes një reagimi publik, Bajrami ka vlerësuar se situata reale në shëndetësi reflektohet në përditshmërinë e pacientëve, duke përmendur listat e gjata të pritjes, mungesën e barnave, pajisjeve dhe materialeve bazë në institucionet publike shëndetësore.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia për gjendjen aktuale nuk duhet t’u atribuohet mjekëve dhe infermierëve, të cilët, sipas saj, vazhdojnë të ofrojnë shërbime në kushte të vështira dhe me mungesa të shumta.
Deputetja opozitare ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me mënyrën e shpenzimit të buxhetit në shëndetësi, duke pretenduar se fondet e konsiderueshme dhe proceset e tenderimit nuk janë reflektuar në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
“Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është korrupsion”, ka deklaruar Bajrami, duke e bërë përgjegjëse qeverinë për situatën në këtë sektor.
Sipas saj, pavarësisht viteve të qeverisjes dhe buxheteve të rritura të ndara për shëndetësinë, problemet kryesore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, ndërsa ka bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për përmirësimin e sistemit.
Deri në publikimin e këtij lajmi, institucionet qeveritare nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të deputetes së LDK-së.

