
Bajrami kërkon presion të BE-së ndaj Serbisë për çështjen e të pagjeturve
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, i ka dërguar një letër zyrtare emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit lidhur me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Reagimi i tij vjen pasi në Zubin Potok janë identifikuar dy lokacione nën dyshimet për varreza masive.
Bajrami theksoi se i ka kërkuar Bashkimit Evropian të sigurojë që Serbia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj të marra në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Si Kryenegociator i Republikës së Kosovës, i kam përcjellë zyrtarisht Peter Sørensen shqetësimet tona të thella në lidhje me zhvillimet e fundit për personat e zhdukur nga lufta e viteve 1998–1999. I kam kërkuar BE-së të sigurojë që Serbia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, duke përfshirë qasjen e pakufizuar në arkiva dhe mbrojtjen e atyre që paraqiten me informacione”, ka shkruar Bajrami në X, transmeton Klankosova.tv.
Të hënën, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, qëndroi në Jabukë, lokacion ky i dytë në Zubin Potok në të cilin u zbulua varrezë masive .
Nga atje, Sveçla tha se deri më tani janë gjetur të paktën katër trupa.
Sipas tij, viktimat dyshohet se pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi.

