
Bajrami: “Çështja e energjisë po hetohet nga Prokuroria Speciale – kam dhënë dëshminë time për ‘mafinë energjetike’”
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërsa ka konfirmuar se edhe ajo vetë ka dhënë dëshmi në fillim të këtij muaji në lidhje me këtë rast.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajrami ka theksuar se qytetarët po përballen me fatura gjithnjë e më të larta të energjisë elektrike, duke akuzuar Qeverinë Kurti për “rritje të paarsyeshme të çmimeve” që, sipas saj, kanë varfëruar familjet kosovare dhe kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të kostos së jetesës.
“Qytetarët këto ditë po marrin faturat e energjisë elektrike, fatura që po varfëron buxhetin e secilës familje. Tetori s’ka qenë aspak i ftohtë, por secili tashmë brengoset: sa do të jetë fatura në nëntor, dhjetor e janar?”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka kujtuar se gjatë këtij mandati, çmimi i energjisë elektrike është dyfishuar për familjet dhe trefishuar për bizneset, duke shtuar se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve vendore dhe atyre të importuara.
“Kjo është dhurata e drejtpërdrejtë e politikave të Kurtit, politikë që pasuron disa dhe po varfëron secilën familje në Kosovë,” ka theksuar deputetja e LDK-së.
Megjithatë, Bajrami ka shtuar se ka edhe një lajm të mirë, pasi sipas saj, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për këtë çështje, e cila sipas saj lidhet me atë që ajo e quan “mafia energjetike”.
“Në fillim të këtij muaji kam dhënë dëshminë time në Prokurorinë Speciale për atë që unë e quaj ‘mafi energjetike’,” ka deklaruar Bajrami.


