Avionë luftarakë amerikanë ndjekin 4 avionë rusë pranë Alaskës-NATO forcon mbrojtjen pas shkeljeve të hapësirës ajrore në Evropë

Avionë luftarakë amerikanë ndjekin 4 avionë rusë pranë Alaskës-NATO forcon mbrojtjen pas shkeljeve të hapësirës ajrore në Evropë

Avionët luftarakë amerikanë kanë ndjekur 4 avionë rusë që fluturonin pranë hapësirës ajrore të Alaskës.

Lajmin e ka bërë të ditur CBS News, duke cituar Komandën e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD).

Incidenti, i cili përfshiu dy bombardues strategjikë rusë Tu-95 dhe dy luftarakë Su-35, ndodhi në zonën e identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ADIZ) të Alaskës, një hapësirë ndërkombëtare pranë hapësirës sovrane të SHBA-së dhe Kanadasë.

Sipas zyrtarëve ushtarakë, NORAD dërgoi një avion paralajmërues dhe kontrolli E-3, katër luftarakë F-16 dhe katër avionë karburanti KC-135 “për identifikim dhe përgjim pozitiv” të avionëve rusë.

Aktiviteti ushtarak rus në ADIZ është i zakonshëm dhe nuk konsiderohet kërcënim, por ky është i fundit në një seri fluturimesh të avionëve rusë, të cilat shumë vetë i shohin si testime të gatishmërisë së SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s,” deklaroi NORAD.

Ky incident vjen rreth një muaj pas një ngjarjeje të ngjashme në fund të gushtit, kur NORAD raportoi zbulimin dhe ndjekjen e një avioni ushtarak rus të zbulimit në ADIZ, pas përgjimit të tij tri herë në ditët e mëparshme në të njëjtën zonë.

Më herët, në shtator 2024, NORAD publikoi një video që tregonte një avion rus duke fluturuar “vetëm disa metra larg” avionëve të saj pranë brigjeve të Alaskës. Një gjeneral amerikan e cilësoi sjelljen e ekuipazhit rus si “të pasigurt, joprofesionale dhe që rrezikoi të gjithë”. Megjithatë, asnjë nga këto incidente nuk ka rezultuar në shkelje të hapësirës sovrane ajrore të SHBA-së apo Kanadasë.

Ndërkohë, në Evropë, shkeljet e hapësirës ajrore janë intensifikuar që nga fundi i gushtit, duke përfshirë fluturime të dronëve të paidentifikuar mbi aeroporte lokale dhe platforma strategjike.

Situata u përkeqësua natën e 10 shtatorit, kur Rusia sulmoi Ukrainën me dronë dhe raketa, dhe disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë.

Për herë të parë, Polonia përdori armë ajrore për të rrëzuar disa dronë. Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se hapësira ajrore e vendit të tij ishte shkelur të paktën 19 herë, duke e cilësuar si një provokim të qëllimshëm rus.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se “përkushtimi ynë për nenin 5 është i palëkundur” dhe ka premtuar se Aleanca do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur anëtarët e saj.

Megjithatë, skepticizmi i shprehur nga Presidenti Trump për angazhimet e NATO-s në të kaluarën ka ngritur shqetësime për unitetin e Aleancës në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë. /rtsh/

Share This