Ambasadori i Iranit në OKB: Teherani s’ka ndërmend të mbyllë Ngushticën e Hormuzit

Ambasadori i Iranit në OKB: Teherani s’ka ndërmend të mbyllë Ngushticën e Hormuzit

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani ka deklaruar Teherani nuk ka ndërmend të mbyllë Ngushticën e Hormuzit.

Sipas tij, Teherani nuk do ta bllokojë këtë rrugë ujore kyçe, por thekson se Irani ka të drejtën e lindur për të ruajtur paqen dhe sigurinë e Ngushticës.

Deklaratat i bëri ai para gazetarëve në Kombet e Bashkuara, në mes të tensioneve të larta në rajon pas sulmeve të ndërsjella midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën që dënon sulmet e Iranit ndaj vendeve të Gjirit dhe Jordanisë, duke kritikuar çdo veprim ose kërcënim nga Irani për të mbyllur, penguar ose ndërhyrë në navigimin ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit.

Irani ka mohuar pretendimet për mbyllje të plotë, duke thënë se respekton ligjin ndërkombëtar dhe lirinë e navigimit, por ka kryer veprime si vendosja e minave ose ndalimi i anijeve të caktuara, në përgjigje të sulmeve të huaja.

Megjithatë, Iravani insiston se Irani nuk ka plane për të ndërprerë trafikun normal dhe se akuzat për mbyllje janë të pabaza. /rtsh/

Share This