
Avdullah Hoti: Qeveria në detyrë ka shkelur ligjin me dorëzimin e Projektbuxhetit 2026
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas dorëzimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026 në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të ligjit nga ana e Qeverisë në detyrë, shkruan Rekordi.net.
Sipas Hotit, deputetët e Kuvendit kanë pranuar dje në adresat zyrtare projektbuxhetin që është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe “kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend”. Ai ka akuzuar edhe kryetarin e Kuvendit se është bërë pjesë e këtij procesi, duke e shpërndarë dokumentin te deputetët.
“Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se shkelje tjetër ligjore përbën fakti që projektligji është prezantuar në mbledhje të Qeverisë nga një deputet dhe është dorëzuar në Kuvend nga një deputet tjetër, “të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit”.
“Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale të bazuara në ligje për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike”, ka theksuar ai.
Hoti ka kritikuar edhe presidenten e vendit, duke thënë se nuk pret reagim prej saj për të ndaluar “funksionimin qartësisht jokushtetues të Qeverisë në detyrë”.
“Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve. As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin fatkeqësisht po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës”, ka deklaruar Hoti.
Në fund, ai ka theksuar se “këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave”, duke shtuar se “nuk mund të mbijetojnë në situata të normalitetit politik, pasi situatat normale nuk i pranojnë mashtruesit”. /Rekordi.net


