
Abdixhiku pret shqiptaro-amerikanin Harry Bajraktarin: Ai mbetet mik i madh i Kosovës
Sot, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, priti veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin, një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm të Bajraktarit në afirmimin e çështjes kombëtare për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Ai vlerësoi rolin e tij të pazëvendësueshëm në forcimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës para institucioneve amerikane, veçanërisht në kohët më të vështira.
Kryetari Abdixhiku përmendi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë të Bajraktarit me Presidentin Ibrahim Rugova, duke artikuluar me kompetencë dhe besnikëri kauzën e vendit tonë para politikëbërësve amerikanë.
“E falënderoj Harry Bajraktarin për gjithçka që ka bërë e vazhdon të bëjë për Kosovën. Ai mbetet mik i madh, zë i fuqishëm dhe mbështetës i paepur i vendit tonë,” tha Abdixhiku.


