Audienca te Papa, Osmani: E ftova për vizitë, shpresojmë për njohjen e shumëpritur nga Selia e Shenjtë

Audienca te Papa, Osmani: E ftova për vizitë, shpresojmë për njohjen e shumëpritur nga Selia e Shenjtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është pritur në një audiencë private nga Papa Leoni XIV në Selinë e Shenjtë, takim të cilin e ka cilësuar si “nder të veçantë”.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani bëri të ditur se gjatë takimit i ka përcjellë Papës urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, duke shprehur shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë në mbarë botën.

Presidentja po ashtu e ka ftuar Papa Leonin XIV për një vizitë zyrtare në Kosovë.

“Përcolla ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se në takim u diskutua edhe për rolin e Kosovës dhe për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, si dhe për kërkesën që Vatikani ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”, u shpreh Osmani.

Presidentja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë dhe avancimin e miqësisë historike, të udhëhequr nga vlerat e përbashkëta.

Në fund, Osmani bëri të ditur se takimi u zhvillua në frymën e festës së Krishtlindjes, duke ndarë dëshira të përbashkëta për paqe dhe harmoni në mbarë botën.

Share This