
Arteta: Zëvendësimet ndryshuan ritmin e lojës ndaj Leverkusenit
Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka vlerësuar ndikimin e futbollistëve që u aktivizuan nga stoli pas barazimit 1-1 ndaj Bayer Leverkusen në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së UEFA Champions League.
Arteta theksoi se hyrja në lojë e Noni Madueke pati ndikim të menjëhershëm në dinamikën e ndeshjes.
“Madueke, pasi hyri nga stoli, ishte shumë i mirë. Menjëherë ndryshoi ritmin, dinamikën dhe rrezikshmërinë e skuadrës. Ai pati një ndikim të madh në rezultatin”, ka thënë Arteta.
Tekniku spanjoll vlerësoi gjithashtu qetësinë e Kai Havertz, i cili realizoi nga penalltia kundër ish-skuadrës së tij.
“Futbolli ka histori shumë interesante dhe të bukura. Ishte mbresëlënëse mënyra se si ai e ekzekutoi penalltinë, sa i qetë ishte në atë moment. Ishte një gol shumë i rëndësishëm për ne”, është shprehur trajneri i Arsenalit.
Barazimi ndaj Leverkusenit e mban të hapur çështjen e kualifikimit për në çerekfinale, ndërsa Arsenali do të kërkojë ta vendosë gjithçka në ndeshjen e kthimit.


