Arsenali mposht Wolves në një sfidë dramatike

Arsenali mposht Wolves në një sfidë dramatike

Arsenali ka shënuar një fitore dramatike 2-1 ndaj Wolverhampton Wanderers, duke siguruar tri pikë falë një goli në minutën e 94-të, shkruan Rekordi.net.

Me këtë triumf, liderët e Premier League e kanë zgjeruar serinë e fitoreve ndaj Wolves në nëntë përballje radhazi.

Që në fillim të takimit të zhvilluar në “Emirates”, vendasit dominuan lojën, me Bukayo Saka që ishte shumë aktiv në krahun e djathtë. Megjithatë, mbrojtja e Wolves rezistoi për një kohë të gjatë, ndërsa rasti i parë serioz për mysafirët erdhi në minutën e 27-të, kur Hwang Hee-chan u ndal nga portieri David Raya. Për Arsenalin, shqetësim shtesë ishte dëmtimi i Ben White, i cili u detyrua të largohej nga loja.

Presioni i Arsenalit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me raste të shumta nga Gabriel Martinelli, Viktor Gyökeres dhe Declan Rice, por pa konkretizim. Portieri i Wolves, Sam Johnstone, u dallua me pritje vendimtare, derisa në fund u tregua i pafat, kur pas një goditjeje këndi të Sakas, topi u përplas në shtyllë dhe më pas përfundoi në rrjetë pas devijimit nga trupi i tij, duke i dhënë epërsinë Arsenalit.

Kur dukej se vendasit do ta mbyllnin ndeshjen, Wolves barazoi në mënyrë dramatike në minutën e 90-të, me Tolu Arokodare që shënoi me kokë pas një krosimi nga krahu, duke heshtur përkohësisht “Emirates”-in.

Megjithatë, gëzimi i mysafirëve zgjati pak. Në minutën e 94-të, pas një tjetër krosimi të Sakas, Yerson Mosquera devijoi topin në portën e vet, duke i dhënë Arsenalit fitoren e shumëkërkuar dhe duke i shkaktuar Wolves humbjen e 10-të radhazi në kampionat.

Kjo fitore i jep qetësi Arsenalit pas humbjes dramatike nga Aston Villa dhe konfirmon formën pozitive të skuadrës së Mikel Artetës, që tani ka dy fitore radhazi në të gjitha garat. /Rekordi.net

Share This