Arsenali mposht Liverpool-in në derbin e madh anglez

Arsenali mposht Liverpool-in në derbin e madh anglez

Arsenali ka shënuar një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Liverpoolit, duke triumfuar me rezultat 1:0 në “Anfield”, në një ndeshje ku skuadra londineze tregoi karakter dhe qëndrueshmëri për të mbrojtur epërsinë.

Heroi i “Topçinjve” ishte Kai Havertz, i cili realizoi golin e vetëm të takimit, duke i dhënë fund një serie prej 13 ndeshjesh radhazi pa fitore të Arsenalit në kampionat në stadiumin e Liverpoolit. Në këtë periudhë, Arsenali kishte regjistruar pesë barazime dhe tetë humbje.

Goli vendimtar erdhi pas një aksioni të bukur të mysafirëve. Declan Rice dërgoi një krosim të saktë në zonë, ndërsa Havertz u gjend në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë.

Liverpooli reagoi dhe krijoi disa raste të mira për të barazuar rezultatin. Alexander Isak, Florian Wirtz dhe Alexis Mac Allister patën mundësi të mira, por nuk arritën të mposhtin mbrojtjen kundërshtare. Në njërin prej rasteve, goditja e Wirtzit nga gjuajtja e lirë u ndal nga traversa.

Edhe në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Arne Slot kërkoi golin e barazimit, por Arsenali u tregua i organizuar në fazën defensive dhe arriti ta ruajë epërsinë deri në fund.

Me këtë triumf, Arsenali regjistroi fitoren e 17-të në 20 ndeshjet e fundit në Premierligë dhe u rikthye në krye të tabelës.

Kjo fitore kishte edhe një rëndësi të veçantë statistikore, pasi ishte triumfi i 300-të i Arsenalit në udhëtim në historinë e Premierligës. Në këtë mënyrë, londinezët iu bashkuan Manchester Unitedit si skuadrat e vetme që kanë arritur këtë shifër. /Rekordi.net

Share This