Arsenali mposht Burnley-n, ruan kreun e Premier League-s, ndalet Man United

Arsenali mposht Burnley-n, ruan kreun e Premier League-s, ndalet Man United

Arsenali ka arritur një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Burnleyt, duke triumfuar me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dhjetë të Ligës Premier, shkruan Rekordi.net.

“Topçinjtë” e nisën ndeshjen më mirë dhe kaluan në epërsi në minutën e 14-të me golin e Viktor Gyokeres, i cili shënoi për 1-0 pas një aksioni të kombinuar të mysafirëve.

Në minutën e 32-të, Leandro Trossard pati mundësinë të dyfishonte rezultatin, por goditja e tij u bllokua nga një prej mbrojtësve të Burnleyt. Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 35-të, Arsenali e gjeti golin e dytë me anë të Declan Rice, që shënoi për 2-0 dhe vulosi fatin e takimit.

Në pjesën e dytë, skuadra e Mikel Artetës menaxhoi me qetësi avantazhin, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Burnley nuk arriti të krijojë raste serioze për të rrezikuar portën e David Rayas.

Pas kësaj fitoreje, Arsenali ngjitet në kuotën e 25 pikëve dhe ruan vendin e parë në renditjen tabelare, shtatë pikë më shumë se Bournemouth, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Nottingham Forest dhe Manchester United ndajnë pikët në një sfidëdramatike

Ndërkaq, Manchester United nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në udhëtim te Nottingham Forest, pasi ndeshja e zhvilluar në “City Ground” përfundoi me rezultat të barabartë 2-2.

Forest, që kishte humbur katër ndeshjet e fundit, arriti të ndalë “Djajtë e Kuq” në një përballje me shumë raste dhe emocione deri në fund.

Skuadra e Ruben Amorim e nisi më mirë takimin. Benjamin Šeško pati dy mundësi të mira në minutat e para, ndërsa Amad Diallo u ndal mrekullisht nga portieri vendas Matz Sels. Megjithatë, pas një goditjeje këndi të diskutueshme, Casemiro shënoi me kokë në minutën e 28-të për epërsinë 1-0, duke regjistruar kontributin e tij të pestë në tetë ndeshje kundër Forest.

Në pjesën e dytë, Forest reagoi fuqishëm dhe përmbysi rezultatin brenda vetëm 92 sekondave. Fillimisht Morgan Gibbs-White barazoi me kokë pas asistimit të Ryan Yates, ndërsa Nicolo Savona përfitoi nga një mbulim i dobët në mbrojtjen e United për të shënuar për 2-1.

United nuk u dorëzua. Kapiteni Bruno Fernandes goditi shtyllën, ndërsa Hudson-Odoi rrezikoi për vendasit. Në minutën e 82-të, pas një goditjeje këndi që nuk u largua siç duhet, Amad Diallo realizoi me një vollej të fuqishme për barazimin 2-2.

Në minutat e fundit, të dy ekipet patën mundësi për të marrë fitoren, por ndërhyrja vendimtare e Murillos në vijën e portës ndaloi golin e sigurt të Diallos.

Pas këtij barazimi, Manchester United renditet në vendin e pestë me 17 pikë, ndërsa Nottingham Forest mbetet në pozitën e 18-të me 6 pikë. /Rekordi.net

Share This