
Arrigo Saki: Napoli është ekipi më i fortë në Itali
Ish-trajneri i njohur italian, Arrigo Saki, e ka vlerësuar lart skuadrën e Napolit, pak ditë para rikthimit të saj në arenën evropiane pas një sezoni mungesë.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport’, Saki tha se Napoli i Antonio Contes është ndër më të fortat për të fituar kampionatin italian.
“E konsideroj Napolin ekipin më evropian që ekziston në Itali. Nuk e kam mbajtur kurrë sekret faktin që Napoli është skuadra më e fortë për Scudetton,” deklaroi Saki.
Ai shprehu bindjen se napolitanët mund të kenë rol edhe në Ligën e Kampionëve.
“Kam parë të gjithë listën e ndeshjeve të Napolit dhe them me bindje se këtë herë ata mund ta kalojnë raundin e parë. Optimizmi im nuk bazohet vetëm në dëshirë, por në arsye. Nga tetë ndeshje, vetëm dy janë realisht të vështira, hapja kundër Manchester Cityt dhe finalja e grupit kundër Chelseat. Pjesa tjetër janë duele brenda mundësive të ekipit të contes,” theksoi ish-trajneri i Milanit dhe i Italisë.


