
Armata amerikane ka mbërritur në Lindjen e Mesme- Teherani dërgon mesazhe kërcënuese ndaj SHBA-së
Armata amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, ka mbërritur në Lindjen e Mesme, duke hyrë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore ku përfshihet edhe Irani.
Lëvizja e flotës amerikane vjen në një moment tensioni të lartë, ndërsa në Teheran u zbulua një mural gjigant me mesazh kundër SHBA-së, ku shfaqej një aeroplanmbajtëse e dëmtuar dhe slogani paralajmërues, “Kushdo që mbjell erën do të korrë stuhinë”.
Grupi goditës përfshin aeroplanmbajtësen Lincoln dhe tre shkatërrues me raketa të telekomanduara, ndërsa në bordin e saj ndodhen skuadrilje avionësh luftarakë F/A-18E/F Super Hornet, F-35C, avionë elektronikë EA-18G Growler dhe helikopterë MH-60R/S.
Sipas CBS, forca detare nuk ishte ende në pozicionin e saj përfundimtar. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-të kanë një “flotë të madhe” drejt Iranit “për çdo rast”, duke shtuar se mund të mos jetë e nevojshme të përdoret.
Ai ka kritikuar vazhdimisht udhëheqësit iranianë për shtypjen e protestave dhe ekzekutimet masive.
Raportime të tjera thonë se Trump ka qenë gati të godiste Iranin, por sulmi u “ngrirë” pas rekomandimeve nga Izraeli dhe disa shtete arabe, të cilat paralajmëruan se një goditje e fortë nuk do të sillte rënien e regjimit. Një arsye tjetër ishte mungesa e forcave amerikane në rajon, pasi një pjesë e tyre ishte zhvendosur në Karaibe për operacionin kundër Nicolas Maduros në Venezuelë.
Nga ana tjetër, Irani ka reaguar ashpër, ku Gjenerali Mohammad Pakpour paralajmëroi SHBA-të dhe Izraelin të shmangin “çdo llogaritje të gabuar”, duke theksuar se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është më i gatshëm se kurrë “me gishtin në këmbëz” për të zbatuar urdhrat e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. /rtsh/


