
Amorim lë të hapur rikthimin e Mainoo-s
Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, e ka pranuar se mesfushori i ri Kobbie Mainoo mund të marrë minuta sonte në ndeshjen ndaj Bournemouth, mes spekulimeve për një largim të mundshëm të tij gjatë afatit kalimtar të janarit.
Duke folur para takimit, Amorim ka theksuar se Mainoo mbetet një opsion i rëndësishëm për skuadrën, por gjithçka varet nga sistemi i lojës që përdor United.
“Problemi është se ne po luajmë me dy mesfushorë dhe ju e shihni Kobbie-n ndryshe nga mënyra se si e shoh unë,” u shpreh Amorim.
“Ndoshta, nëse luajmë me tre mesfushorë dhe jo vetëm me dy, Kobbie do të ketë më shumë minuta.”
Tekniku portugez shtoi se një ndryshim skeme do të sillte edhe sakrifica të tjera në formacion:
“Imagjinoni nëse kjo ndodh. Dikush nga lojtarët përpara do të humbasë vendin. Ndonjëherë gjithçka varet nga momenti”, theksoi Amorim.
Ai solli si shembull edhe rastin e Casemiros, për të treguar se vendimet e tij nuk janë përfundimtare dhe se çdo lojtar mund të fitojë sërish besimin.
“Mendoj se e kam treguar se, nëse ndryshon mendimin tim, mund të futesh në ekip. Casemiro është shembulli më i madh. Ai ishte pas Toby Collyer dhe tani është titullar”, theksoi ai.
Deklaratat e Amorimit lënë të kuptohet se Mainoo mund të rikthehet gradualisht në planet e skuadrës, ndërsa e ardhmja e tij te Manchester United mbetet ende e hapur.


