
Ambasada për vizitën e zyrtarit amerikan: Përforcohet partneriteti në fushën e mbrojtjes
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë të ditur se zëvendësndihmëssekretari amerikan i Mbrojtjes, David Baker, së bashku me gjeneralin Chris McKinney, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në vend, ku janë pritur nga udhëheqësit më të lartë shtetëror dhe ushtarak.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zyrtari i lartë amerikan është takuar me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Bashkim Jashari, si dhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.
Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, qëllimi i vizitës ishte forcimi i partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes mes ShBA-së dhe Kosovës, si dhe eksplorimi i mundësive për thellimin e bashkëpunimit në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në kuadër të kësaj vizite, Baker ka vizituar edhe kampin amerikan “Bondsteel”, ku është takuar me pjesëtarë të personelit ushtarak amerikan të dislokuar në Kosovë.
Kjo vizitë vlerësohet si një sinjal i qartë i përkushtimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë dhe zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.


