
Ali Ahmeti mbështet protestën për liderët e UÇK-së: Lufta ishte e drejtë dhe e duhur
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe figurë kyçe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka dalë publikisht në mbështetje të protestës së paralajmëruar më 7 gusht në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale dhe procesit ndaj ish-liderëve të UÇK-së.
Përmes një reagimi në “Facebook”, Ahmeti thekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte legjitime, e drejtë dhe e mbështetur nga bota demokratike.
“Lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore dëshmuan çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci, pavarësi,” ka shkruar Ahmeti.
Ai kritikoi ashpër bazat mbi të cilat po zhvillohen proceset në Hagë, duke thënë se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi “procese politike të imponuara nga Rusia dhe ‘dëshmi’ të servuara nga Serbia”.
“Unë jam pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim dhe e mbështes protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë,” përfundon Ahmeti.
Protesta është thirrur nga organizata të dala nga lufta e UÇK-së dhe ka gjetur mbështetje të gjerë nga liderë politikë, veteranë dhe qytetarë, të cilët e konsiderojnë këtë një moment vendimtar për të shprehur qëndrimin kundër padrejtësive të pretenduara nga Gjykata Speciale.

