Aksidenti me tre viktima në kufi, Qehaja: Ngasësi u orientua në pjesën e papërfunduar të autostradës Shkup-Bllacë ku s’ka barriara e shenja

Aksidenti me tre viktima në kufi, Qehaja: Ngasësi u orientua në pjesën e papërfunduar të autostradës Shkup-Bllacë ku s’ka barriara e shenja

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja tha se vetura me të cilën u aksidentuan për vdekje tre kosovarë u orientua në pjesën e papërfunduar të autostradës Shkup-Bllacë, gjë që rezultoi fatale për ta.

Qehaja tha në Frontal në T7 se në atë pjesë të rrugës “nuk ka barriera fizike dhe sinjalistikë”.

“Ngasësi i veturës është orientuar, për një arsye apo tjetrën, në pjesën e papërfunduar të një segmenti të autostradës Shkup-Bllacë, dhe aty vetura është përplasur, është përmbysur dhe i kemi fatkeqësisht tre viktima”, tha ai.

Qehaja tha se janë në përfundim të procedurave si obduksioni dhe të tjera, që këta trupat e viktimave të kthehen në Kosovë.

“Procedura është më e komlikuar sepse nuk është fjala vetëm për shtetas tanë, fjala është për shtetas që kanë dokumente të tjera, të cilat duhet të sinkronizohen”, tha ai.

“Ne po mundohemi që kjo të bëhet sa më shpejt që është e mundshme. Në rastin më të mirë, nesër”, tha Qehaja.

Ambasadori tha se ky nuk është rasti i parë fatal për shtetas kosovarë në këtë zonë.

“Fatkeqësisht ky nuk është rasti i parë që ne kemi në këtë magjistrale. Nëse ju kujtohet para tre viteve kemi pasur një rast ku kemi humbur tre qytetarë”, tha ai.

“Është fatkeqësi që brenda tre viteve ne i humbim gjashtë qytetarë, shtetas tanë, në këtë segment rrugor”, tha Qehaja.

Share This