
Aksident i rëndë në Beograd, tramvaji përplaset me një dyqan, dhjetëra të plagosur
Një aksident i rëndë me tramvaj është regjistruar mëngjesin e sotëm (25 maj) dnë Beograd, ku një tramvaj i linjës numër 5 doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë pranë kryqëzimit të rrugëve Cara Dušana dhe Knićaninova.
Sipas njoftimit të Kompanisë së Transportit të Qytetit GSP Beograd, tramvaji i tipit KT4 goditi një ndërtesë aty pranë, duke lënë të plagosur disa pasagjerë dhe drejtuesin e mjetit.
Autoritetet bëjnë me dije se shumica e të lënduarve kanë marrë plagë të lehta, ndërsa dy pasagjerë kanë pësuar lëndime të rënda fizike, kryesisht fraktura në gjymtyrë.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se një nga shkaqet e aksidentit mund të ketë qenë faktori njerëzor, konkretisht shpejtësia e papërshtatshme e tramvajit gjatë kalimit në vendkalim, ndërsa po verifikohet edhe gjendja teknike e infrastrukturës së shinave.
Në vendngjarje ndërhynë disa ekipe të emergjencës, të cilat transportuan të plagosurit drejt qendrave spitalore. Sipas Shërbimit të Emergjencës, 11 persona u dërguan në Qendrën e Emergjencës, ndërsa dy fëmijë u transportuan në Spitalin e Fëmijëve në rrugën Tiršova.
Dëshmitarët okularë thanë se tramvaji duhej të vijonte drejt në rrugën Cara Dušana, por për arsye ende të paqarta ndryshoi drejtim dhe përfundoi duke u përplasur me vitrinën e një dyqani në cep të rrugës Knićaninova.
Një numër i madh efektivësh policie ndodhen në vendngjarje dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit, ndërsa autoritetet pritet të bëjnë publike detaje të tjera pas përfundimit të hetimeve paraprake. /rtsh/

