Afrikë e Jugut: 11 të vrarë në një lokal ilegal, edhe një 3-vjeçar

Afrikë e Jugut: 11 të vrarë në një lokal ilegal, edhe një 3-vjeçar

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën, përfshirë një fëmijë 3-vjeç, si pasojë e të shtënave në një lokal të paligjshëm në Afrikën e Jugut.

Katërmbëdhjetë persona të tjerë u plagosën kur persona të armatosur sulmuan lokalin në një qytezë në perëndim të kryeqytetit Pretoria.

Një zëdhënëse e policisë tha se të paktën tre persona të armatosur dhe të paidentifikuar hynë në lokal dhe hapën zjarr ndaj personave që ndodheshin aty duke konsumuar pije.

Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta dhe deri tani nuk është kryer asnjë arrestim.

Zëdhënësja shtoi se autoritetet po përballen me një sfidë serioze për sa i përket lokaleve të paligjshme, të cilat operojnë pa licencë për shitjen e pijeve alkoolike dhe ku, sipas saj, ndodhin shumica e rasteve të këtij lloji të shtënash.

Sipas të dhënave të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin për vitin 2023 – 2024, Afrika e Jugut ka një nga shkallët më të larta të vrasjeve në botë, me 45 vrasje për çdo 100 mijë banorë.

Ndërkaq, sipas statistikave të policisë, mes prillit dhe shtatorit, në Afrikën e Jugut janë vrarë mesatarisht 63 persona në ditë. /rtk/

Share This