
Abdixhiku takohet me ambasadorin gjerman, thekson nevojën për krijimin e shpejtë të institucioneve të reja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Rainer Rudolph.
Sipas njoftimit të LDK-së, në këtë takim u diskutua për aktualitetin politik në vend, qëndrimet e LDK-së lidhur me situatën politike dhe domosdoshmërinë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale.
“Kryetari Abdixhiku theksoi nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar pritjet e qytetarëve për një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim dhe mirëqenie”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Gjatë takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit të saj demokratik.
Ai e cilësoi Gjermaninë si një partnere kyçe dhe aleate të rëndësishme të Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në proceset e ardhshme politike dhe institucionale.


