Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, diskutojnë për situatën politike pas refuzimit të kandidatit për president

Abdixhiku pret në takim ambasadorin gjerman, diskutojnë për situatën politike pas refuzimit të kandidatit për president

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

Gjatë takimit, Abdixhiku dhe ambasadori Rudolph kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në situatën e krijuar pas refuzimit të propozimit për presidentin e Republikës së Kosovës.

Abdixhiku ka vlerësuar se refuzimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja për president dhe pamundësia për ta përmbyllur këtë proces institucional përbëjnë një zhvillim të pafavorshëm për stabilitetin politik dhe funksionimin e institucioneve demokratike të vendit.

Abdixhiku po ashtu ka theksuar se përkrahja e partnerëve strategjikë të Kosovës është e një rëndësie të veçantë për ruajtjen e stabilitetit institucional, konsolidimin demokratik të vendit dhe avancimin e agjendës së saj euroatlantike.

Në takim është vlerësuar gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në proceset që lidhen me zhvillimin demokratik dhe integrimin evropian të Kosovës.

Në fund të takimit, Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar lart rolin e saj si një prej partnerëve më të rëndësishëm strategjikë të vendit.

Share This