
Abdixhiku: Jemi shumë larg marrëveshjes, të konstituohet Kuvendi
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, deklaroi se janë shumë larg një marrëveshjeje politike dhe se nuk sheh asnjë arsye për vonimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se vendi është në kufijtë e afatit kushtetues.
“Sot duhet të ketë seancë dhe duhet të konstituohet Kuvendi. Nuk duhet të futemi në paqartësi kushtetuese”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se përgjegjësia për sigurimin e rrjedhës normale të institucioneve i takon partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa shtoi se me kalimin e kohës mundësia për arritjen e një marrëveshjeje politike po zvogëlohet.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje eventuale dhe nuk pres që kjo të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive”, deklaroi ai, raporton rtk.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja e konsideron të domosdoshme ruajtjen e balancës institucionale, duke theksuar se pa këtë balancë nuk mund të ketë një marrëveshje politike të qëndrueshme.
Ai shtoi se LDK-ja ka hyrë në proces me vullnet për të gjetur një zgjidhje, por paralajmëroi se nëse tejkalohen afatet kushtetuese, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
“Qëllimi ynë ka qenë t’i japim Kosovës institucionet e reja, por në këtë pikë, me keqardhje, jemi në një rrugë që nuk po sjell zgjidhje afatgjate”, përfundoi Abdixhiku.

