
Uran Ismaili: Pezullimi i lejeve të reja të ndërtimit për 6 muaj, nuk do të ketë më ndërtime pa plan
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar sot një nga pesë zgjidhjet kryesore të programit të tij, të titulluar “Prej betonit te komuniteti”.
Në një konferencë për media, Ismaili tha se Prishtina është mbuluar nga ndërtime pa plan e pa rregull, duke lënë anash jetën komunitare. Ai premtoi se, nëse fiton mandatin, do të pezullojë për gjashtë muaj të gjitha lejet e reja të ndërtimit.
“Asnjë leje e re nuk do të jepet derisa të rishikohen planet rregulluese, të përcaktohen standardet për hapësira publike dhe gjelbërim, dhe të sigurohemi që çdo projekt të ketë infrastrukturën e nevojshme sociale,” – tha Ismaili.
Në planin e tij parashihet edhe mbjellja e 100 mijë drunjve, krijimi i parqeve në çdo lagje jo më larg se 300 metra nga shtëpitë, si dhe kthimi i dhjetë parcelave publike të pashfrytëzuara në mini-parqe dhe kopshte komunitare.
Në këtë konferencë foli edhe kandidati për Asamble, urbanisti Endrit Mecini, i cili kritikoi qeverisjen aktuale për lejen e ndërtimeve pa kontroll dhe standard.
“Betoni po e mbytë komunitetin. Zëvendësimi i hapësirave të gjelbra me beton prek cilësinë e jetës, rrit ndotjen e ajrit, temperaturat dhe izolimin social,” – theksoi Mecini.
Ai u shpreh se i është bashkuar Uran Ismailit, sepse vizioni i tij është i vetmi që kthen hapësirat publike për komunitetin dhe vendos standarde evropiane në planifikimin urban.

