Gjilani fiton derbin ndaj Prishtinës, fitojnë edhe Ballkani, Dukagjini dhe Drenica

Gjilani fiton derbin ndaj Prishtinës, fitojnë edhe Ballkani, Dukagjini dhe Drenica

Kanë përfunduar ndeshjet e javës së tretë në elitën e futbollit tonë.

Në derbin e javës, Gjilani triumfoi 3:1 ndaj Prishtinës në fushën me bari sintetik në Gjilan. Kjo ishte fitorja e parë e sezonit për ekipin e gjilanas.

Edi Basha zhbllokoi ndeshjen në minutën e 4-t për 1:0.

Senad Jaroviq dyfishoi shifrat nga penalltia në minutën e 11-të.

Prishtina ngushtoi diferencën me Blend Baftiun në minutën e 65-të.

Kapiteni Armend Thaqi vulosi fitoren në minutën e 91-të.

Pas kësaj fitoreje, Gjilani grumbullon katër pikë në tri ndeshje, ndërsa Prishtina mbetet lidere me gjashtë pikë, aq sa kanë edhe Dukagjini e Ferizaj.

Me rezultat identik ka fituar edhe Ballkani në udhëtim tek Ferizaj.

Ismajlgeci e Serebe me dy gola ia dhuruan fitoren tri herë kampionit të Kosovës në Ferizaj.

Ndërkohë, Dukagjini ka regjistruar fitoren e dytë radhazi, duke mposhtur Malishevën 1:0 në udhëtim. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Altin Merlaku në minutën e 63-të. Malisheva mbetet ende pa fitore këtë edicion, me dy barazime dhe një humbje.

Ndërkohë, Drenica ka marrë fitoren e parë të sezonit, duke mundur Prishtinën e Re 1:0 në “Bajram Aliu”. Heroi i ndeshjes ishte Kreshnik Uka, i cili shënoi në minutën e 77-të. Ky ishte suksesi i parë për drenicasit, pas një barazimi dhe një ndeshjeje të shtyrë. Prishtina e Re regjistroi humbjen e dytë radhazi, pas asaj ndaj Ferizajt javën e kaluar.

Ndërkaq, dueli mes Llapit dhe Dritës luhet nesër pasdite në ‘Zahir Pajaziti’.

Share This