
Agon Maliqi: Ish-opozita po tregohet e paqartë, manovrat vetëm forcojnë Listën Serbe
Analisti politik, Agon Maliqi, ka kritikuar qasjen e ish-opozitës në proceset vendimmarrëse, duke thënë se ajo po sillet “as mish as peshk” nga frika e reagimeve në rrjetet sociale dhe grackave populiste të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas tij, përderisa Lista Serbe mbetet parti e zgjedhur nga shumica e komunitetit serb dhe ligji e njeh veprimin e saj si të rregullt brenda sistemit të Kosovës, përfshirja e saj në institucionet e vendit është e pashmangshme.
“Çdo veprim përjashtues ndaj saj do ta detyrojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Maliqi.
Ai shtoi se manovrat aktuale vetëm sa e zgjasin dramën politike, e forcojnë pozitën e Listës Serbe tek komuniteti serb dhe e thellojnë imazhin negativ të Kosovës si vend që shtyp të drejtat e pakicave.


