
Trump niset drejt Alaskës për takimin me Putin, presidenti: Nuk negocioj në vend të Ukrainës. Dua të shpëtoj shumë jetë!
E teksa sytë e botës janë drejtuar drejt samitit në Alaska, presidenti amerikan Donald Trump është nisur nga Baza e Përbashkët Andrews në Maryland. Me një postim në rrjetin social Truth Social para para nisjes, Trump shkroi: “Luhet gjithçka!!!”.
Po ashtu, në një prononcim për gazetarët në bordin e Air Force One, pak para nisjes për në samit, Trump sqaroi se përpjekjet e tij për arritjen e paqes, janë në funksion të shpëtimit të jetëve të pafajshme.
“Do të doja të përqendrohesha te vendi ynë, por po e bëj këtë për të shpëtuar shumë jetë“, tha ai, ndërsa theksoi se pasojat për Rusinë nëse Putin nuk pranon t’i japë fund luftës, do të jenë ndëshkuese.
“Po, do të jetë shumë e rëndë“, tha ai për masat e mundshme ekonomike ndaj Moskës.
Ndërkaq, në vendin ku do të mbahet takimi, ka mbërritur edhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili është pjesë e delegacionit rus.
Në takimin e sotëm do të marrin pjesë Presidenti Trump, Zv.presidenti J. D. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe i dërguari special Steve Witkoff. Nga ana e Rusisë, prezentë në samit do të jenë Presidenti Putin, Ministri i Mbrojtjes Andrey Belousov, Ministri i Financave Anton Siluanov, ndihmësi i presidentit Yuri Ushakov, dhe i dërguari special i presidentit Kirill Dmitriev.
Samiti pritet që të ketë në fokus të tij disa tema kyçe, sikurse: territori, garancitë e sigurisë, sanksionet dhe tregtia, krimet e luftës, dëmshpërblimet dhe rindërtimi, si dhe çështje të tjera.
Ndërsa Ukraina është në qendër të bisedimeve të sotme, Rusia ka thënë se dëshiron gjithashtu të diskutojë përmirësimin e lidhjeve ekonomike. Putini shoqërohet pikërisht nga një delegacion biznesi me shpresën për ta kthyer diskutimin në çështje ekonomike dhe marrëveshje të mundshme biznesi.
Trump ka kërcënuar me “pasoja të rënda” nëse Putini nuk pranon t’i japë fund luftës, duke përfshirë sanksione të mundshme dytësore ndaj vendeve që importojnë naftë dhe gaz rus. /rtsh/


