Trump kërcënon Indinë: Do të përballet me rritje tarifash nëse nuk ndalon së bleri naftë ruse

Trump kërcënon Indinë: Do të përballet me rritje tarifash nëse nuk ndalon së bleri naftë ruse

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Indisë të ndalojë së bleri naftë ruse, pasi sipas tij në këtë mënyrë Nju-Delhi po ndihmon financiarisht luftën e Kremlinit kundër Ukrainës.

India jo vetëm që po blen sasi të mëdha nafte ruse, por më pas pjesën më të madhe të saj e shet në treg të hapur për përfitime më të mëdha. Atij vendi nuk i intereson sa njerëz po vriten në Ukrainë nga Makineria Ruse e Luftës,” shkroi Trump  në një postim në rrjetet sociale.

Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën që India i paguan SHBA-së për mallrat e saj,” shtoi ai.

Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Nju-Delhi tha se India do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe sigurinë ekonomike.

Synimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Indisë është i pajustifikuar dhe i paarsyeshëm,” theksoi ai.

Ndërkohë, sipas medieve ndërkombëtare, India ka thënë se do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia pavarësisht kërcënimeve të Trump.

Trump tha se nga e premtja do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, si dhe ndaj vendeve që blejnë eksportet e saj të energjisë, nëse Moska nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund luftës së saj me Ukrainën.

Sakaq Moska akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ushtrojnë presion të paligjshëm tregtar ndaj Indisë.

Dëgjojmë shumë deklarata që në fakt janë kërcënime, përpjekje për të detyruar vendet të ndërpresin marrëdhëniet tregtare me Rusinë. Ne nuk i konsiderojmë deklarata të tilla si të ligjshme,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ne besojmë se vendet sovrane duhet dhe kanë të drejtë të zgjedhin partnerët e tyre tregtarë,” shtoi ai.

Rusia është furnizuesi kryesor i naftës për Indinë, ndërsa kjo ekonomi në korrik u përball me një tarifë prej 25% për mallrat që dërgon në SHBA. /rtsh/

Share This